Komisioni i transparencës, inspektim në Fier

Komisioni i transparencës, inspektim në Fier

Anëtarët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, shoqëruar nga Kryetari I Bashkisë Fier, Armando Subashi, në kuadër të transparencës kanë zhvilluar dje një tur inspektimesh në investimet më të rëndësishme të zbatuara në Bashkinë Fier. Inspektimi nisi nga shkolla e Levanit, “Dino Ismaili”, e cila jo më larg se dy vite më parë iu nënështrua investimit të plotë si në infrastrukturën e bredshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Sot shërben edhe si qendër komunitare për banorët e zonës.

Ndalesa e dytë e Komisionit ishte shkolla profesionale “Petro Sota”, e kthyer në një shkollë model që nxjerr profesionistë në degë të ndryshme si: mekanikë, hidraulikë, elektricistë etj. Pjesë e inspektimit ishin edhe godinat e artit: teatri “Bylis”, Galeria e Arteve “Vilson Kilica”, si edhe parkut të madh të qytetit që vetëm pak vite më parë ishte një zonë e shkretë, e shkatërruar edhe pse në qendër të qytetit. Duke kaluar në rrugët e rikonstruktuara tashmë, “Rauf Nallbani”, “Xoxi Andoni” e “Dervish Hekali”, nuk u la jashtë vëmendjes edhe qendra e qytetit, punimet në të cilën po ecin me ritme të shpejta. 


Ky tur inspektimi u finalizua me tranformimin rrënjësor të shkollës 9 vjecare “Andon Xoxa”, transformim infrastrukturor dhe metodologjik që i ka rikthyer kësaj shkolle jehonën e dikurshme.

Askush të mos mbetet pas

Askush të mos mbetet pas

Kryetari i Bashkisë z. Armando Subashi ka pritur Ambasadorin e Zvicrës në Shqipëri z. Adrian Maitre, zëvendëministen e Shëndetësisë për cështjet sociale znj. Adriana Janku, Koordinatorin e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri z. Brian J. Williams, përfaqësuesen e UNDP-së në Shqipëri Limya Eltayeb dhe përfaqësues të tjerë të programit: “ASKUSH TE MOS MBETET PAS”.

Takimi konsistoi kryesisht në evidentimin e rezultateve të bashkëpunimeve të deritanishme në fushën e shëndetësisë dhe cështjeve sociale, si dhe në angazhimin në vijim për të forcuar edhe më tej punën për gjithëpërfshirjen sociale, nëpërmjet shtimit të shërbimeve dhe ngritjes së shërbimeve të integruara sociale. Ky program synon ngritjen e një modeli shërbimesh sociale të integruara me në qendër familjen, si bërthama më e rëndësishme e shoqërisë dhe mbeshtet cdo anëtar të saj sipas nevojave specifike.

Projektimi i Planit të Veprimit për integrimin e komunitetit Rom dhe Egjiptian (2019 – 2022)

Projektimi i Planit të Veprimit për integrimin e komunitetit Rom dhe Egjiptian (2019 – 2022)

Projektimi i planit të veprimit për integrimin e komunitetit Rom dhe Egjiptian (2019 – 2022) ka qenë pjesë e axhendës së takimit të zhvilluar sot me përfaqësuesit e organizatës ROMACTED. Duke patur në fokus nxjerrjen e problematikave dhe vlerësimin e kapacitetit të Bashkisë Fier, Kryetari i Bashkisë, z. Armando Subashi, midis të tjerave u angazhua për krijimin e një fondi të përcaktuar që mund të jepet në formën e bursave për anëtarët e komunitetit Rom dhe Egjiptian që do të vazhdojnë arsimimin në ciklin e mesëm. Kjo për të nxitur krijimin e një numri të caktuar burimesh njerëzore, të aftë për të siguruar stadardin e shumëkërkuar. “Nuk janë të pakta investimet dhe nismat që kemi marrë gjatë 3 viteve të fundit për këto komunitete në Baltëz, Sektor Seman, Fermë Clirim, Mbrostar Levan e Drizë, por jo dhe mjaftueshëm.

Çdo vit shtojmë forcën dhe punën për të krijuar për një bashkëjetesë pa disnivele ekonomike, sociale, kulturore, arsimore. E vështirë është, madje shumë dhe kërkon një bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha strukturave dhe vet komunitetit për të siguruar stadardin e shumëkërkuar. Për të arritur deri tek integrimi duhet të shtrojmë rrugën e një modeli që do të jetë i aftë të krijojë vazhdimësinë. Kjo kërkon më shumë punë, më shumë angazhim,më shumë investim nga të gjitha palët, mbi të gjitha ndërgjegjësim të këtij komuniteti për t’u arsimuar”, u shpreh kryetari i Bashkisë Fier, z. Armando Subashi, duke vijuar se: “Bashkia është e gatshme të garantojë një mbështetje financiare në formën e bursës që të nxisë krijimin e një potenciali njerëzor në radhët e këtyre komuniteteve”.

Pjesë e këtij takimi, përvec përfaqësueve të lartë të Bashkisë Fier ishin dhe përfaqësues të institucioneve të tjera vendore, aktorë në këtë sfidë jo të re, për të ndryshuar sa më shumë realitetin e komunitetit Rom dhe Egjiptian në territorin e Fierit.

Drejt zhdukjes kontrastet urbane

Drejt zhdukjes kontrastet urbane

Kryetari i Bashkisë, Armando Subashi ka inspektuar punimet në zonën Qenas, ku prej ditësh po punohet në sistemin e kanalizimit të ujërave të bardha. Bashkia Fier ka nisur kështu një nga punët më të mëdha dhe të rëndësishme të saj, punë e cila nuk do të ndalet deri në urbanizimin e plotë të gjithë zonës informale. Kjo nuk është përfundimtare, por një ndërhyrje emergjente, që do i japë zgjidhje situatës aktuale. Sipas kryetarit Subashi, ndërhyrja rrënjësore do të fillojë vitin e ardhshëm, me zbatimin e projektit tashmë të hartuar, finalizuar dhe financuar nga Qeveria Gjermane nëpërmjet KFW, që do të zgjidhë përfundimisht problematikën që mbart sot gjithë zona informale nga Qenasi, deri në Mbrostar Ferko.

Paralel po punohet në në një nga blloqet e banimit të lagjes “Konferenca e Pezës”, në një nga blloqet e banimi të lagjes “Liri Gero”, në forcim argjinaturash, projekte zhvillimore në vazhdim, në të nëntë njësitë administrative për rehabilitimin e sitemit të Kullimit dhe Ujitjes, në infrastrukturë rrugore, riparim e mirëmbajtje godinash instrituconesh arsimore e shëndëtësore … etj. Të pranishëm cdo ditë në qytet dhe fshat për të siguruar Infrastrukturë rrugore më e mirë; Sipërfaqe publike të sistemuara; Më shumë sipërfaqe të gjelbëruara; Sa më shumë shërbime cilësore. 

Një dhuratë edhe për Ju

Një dhuratë edhe për Ju

Fëmijët jetim, familjet në nevojë dhe fëmijët me aftësi ndryshe kanë qenë edhe këtë vit në vëmendjen e Bashkisë Fier. Përvec aktivitetit artistik e argëtues, Kryetari i Bashkisë Armando Subashi ka gëzuar 300 fëmijët jetim të bashkisë edhe me dhurata të personalizuara. Në fjalën përshëndetëse dhe urimine  fundvitit Kryetari Subashi u shpreh: “Edhe pse vëmendja jonë ka qenë e shpërndarë në shumë drejtime, këtë vit u kujdesëm për të ndikuar sadopak në lumturinë e 2000 familjeve në nevojë, 300 fëmijëve jetim, 50 fëmijëve me aftësi ndryshe dhe banorëve të Shtëpisë të të Moshuarve Fier. Padyshim që kjo nuk është e mjaftueshme, por është më shumë se asgjë. Do të vazhdojmë edhe gjatë këtij viti të ndikojmë në përmirësimin e politikave sociale për familjet pa asnjë mundësi ekonomike, për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, apo personat e pamundur fizikisht. Ata do të jenë në qendër të projekteve dhe programeve tona për vitin 2019, për t’u siguruar më shumë mirëqenie e integritet”.

Përveç ndihmave ushqimore për 2000 familjet në nevojë, atmosferës festive dhe familjare të krijuar në Shtëpinë e të Moshuarve Fier, shoqëruar me dhurata simbolike edhe ceremonia festive organizuar për fëmijët e qendrës “Horizont” (Fëmijë me Aftësi Ndryshe) është një tjetër aktivitet i kthyer tashmë në traditë, që përcjell mesazhe të forta dashurie për jetën dhe një atmosferë festive për këtë pjesë të brishtë të shoqërisë.

Nxënësit e dalluar. Tradita vazhdon.

Nxënësit e dalluar. Tradita vazhdon.

Në një festë të vërtetë është përcjellë ceremonia e vlerësimit për nxënësit e dalluar të ciklit 9 vjecar dhe të mesëm. Kanë qenë rreth 1000 nxënës me rezultate të shkëlqyera në mësime që janë bërë pjesë e vlerësimit dhe argëtimit të organizuar nga Bashkia Fier. E konceptuar si aktivitet i shtrirë përgjatë dy ditëve, kjo ceremoni kishte fokus të ndryshëm me bazë moshën. Ceremonia e vlerësismit të nxënësve të shkollave 9 vjecare ishte konceptuar më tepër si një aktivitet artistik dhe argëtues, organizuar nga QAK.

Ndryshe ishte konceptuar ceremonia e vlerësimit për nxënësit e shkollave të mesme. Me një atmosferë tërësisht rinore, me bazë argëtimin dhe me prezencën e dy artistëve fierakë: Delinda Zhupa dhe Gazmend Paja.

Bashkia Fier nuk ka lënë pa vlerësuar përpjekjen e nxënësve për të arritur rezultate të shkëlqyera në mësime, nga shkollat publike dhe jopublike në të gjithë territorin e saj. Në këtë veprimtari, nëpërmjet një klipi janë prezantuar edhe arritjet e deritanishme, ajo cfarë është bërë për transformimin e mjediseve shkollore, sa është investuar për rikonstruksionin e godinave dhe vëmendja që ka marrë arsimi nga ky institucion. Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë, Armando Subashi përvec urimeve dhe mirënjohjes për të gjithë nxënësit dhe mësuesit ka vënë theksin se Bashkia Fier do të vazhdojë punën për rehabilitimin e të gjitha godinave arsimore, deri në arritjen e standardit që dëshirojmë.