Lajmet më të fundit

Mbetjet urbane – drejt Impiantit të trajtimit.

Publikuar: June 26, 2019

Fieri nis rrugëtimin drejt mbylljes së një plage të kahershme mjedisore, krijuar nga fusha e plehrave! 

Vënia në eficencë e impiantit të trajtimit të mbetjeve ka ndezur dritën jeshile frymëmarrjen e munguar të qytetit dhe qytetarëve.  Prej dekadash, mbetjet grumbulloheshin në fushën ekzisturese në hyrje të qytetit, akumulimi i të cilave dhe djegia herë pas herë e tyre në natyrë shkaktonin ndotje kaotike të mjedisit, duke e dëmtuar rëndë atë dhe ajrin përreth.

Në vitin 2015, Këshilli i Bashkisë Fier me vendim nr. 40 (datë 26.10.2015) e ka shpallur “Emergjencë Mjedisore” fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane të qytetit Fier. 

Zgjidhja e vetme ishte ndërtimi i një sistemi trajtimi mbetjesh, larg qytetit dhe pa impakt në mjedis.  

Impianti i Trajtimit të Mbetjeve Urbane të Qarkut Fier është projektuar dhe ndërtuar me standardet më të larta të Bashkimit Evropian, me teknologji që mundëson një sërë procesesh përpunuese, ku do të bëhet edhe diferencimi manual i mbetjeve. Kapaciteti tretës i këtij inceneratori është 180 deri në 200 ton mbetje në 24 orë, pasi është planifikuar të punohet me turne.  Për realizimin e kësaj vepre janë angazhuar kompani të mirënjohura në Europë, e cila jo vetëm do ta ruajë natyrën, por edhe do ta transformojë pozitivisht atë, duke e çliruar nga një bombë me sahat sic ishte fusha e mbetjeve. 

Favoret e kësaj teknologjie në raport me landfillet janë të mëdha. Landfilli ka një moment ezaurimi, vetëm zgjerohu, kurse kjo nuk merr hapësirë toke, natyre, përkundrazi, e transformon pozitivisht natyrën. 

Në 12 hektarë sipërfaqe toke që shtrihet i gjithë investimi për trajtimin e mbetjeve urbane të Fierit, 2 hektarë prej tyre janë të gjelbëruar me mbelljen e 7 mijë pemëve. Kjo vepër, bazuar në një projekt avangard, parashikon ndarjen, riciklimin dhe asgjësimin me teknologji të fundit që eliminon mbetjet si në tokë ashtu edhe në ajër. Ndërtimi i pikës së transferimit të mbetjeve nga Bashkia Fier krijon mundësinë e eleminimit të depozitimit të mbetjeve në fushën ekzistuese dhe përgatitjen e tyre për transport drejt impiantit të përpunimit, duke mbyllur përfundimisht këtë plagë të madhe mjedisore. I gjithë procesi deri në finalizimin e plotë të tij do të kalojë në disa etapa, duke nisur me ndalimin e depozitimit të mbetjeve në këtë fushë; përgatitjen e tyre për transport; dërgimin e mbetjeve në impiant; pastrim/sistemimin e fushës ekzistuese nga të gjitha mbetjet e akumuluara prej 5 dekadash, për të arritur në rehabilitimin e plotë të kësaj fushe dhe kthimin e saj në një minipark të gjelbëruar. Lëvizja e mbetjeve shumëvjecare dhe sistemimi i gjithë hapësirës së përdorur si vend-grumbullim prej vitesh është një proces që ka nevojë për kohë dhe mirëkuptim (për erën që ato emetojnë në ambient gjatë lëvizjes dhe sistemimit të tyre), por që do t’i sigurojë qytetit qetësinë dhe ambientin e shumëdëshiruar. Ky është një proces i nevojshëm, i paevitueshëm, që i paraprin fazave në vazhdim të projektit. Projekti i zbatimit për zhvendosjen dhe bonifikimin e fushës së mbetjeve të ngurta urbane ekzistuese të qytetit të Fietit do të ketë si objektiv të përgjithshëm reduktimin e rrezikut shëndetësor dhe atij mjedisor që vjen si rezultat i administrimit të papërshtatshëm të mbetjeve të ngurta urbane. Sipërfaqja totale e përfshirë brenda vijës kufizuese me mbetje urbane është 96.123 m2, ndërsa sipërfaqja e zonës së rilevuar duke përfshirë edhe elementët konturor rreth saj është 15 ha. Projekti i rekuperimit përfshin rindërtimin e zonave livadh me bar, pyje të vegjël, me pemë dhe shkurre dekorative. 

Në këtë mënyrë do të zgjidhet përfundimisht problemii i mbetjeve urbane, sipas standardeve të përcaktuara nga Bashkimi Europian të sigurisë, të mbrojtjes së shëndetit dhe mjedisit.​