Lajmet më të fundit

Fier e Vlorë, diskutim teknik për Vjosën

Publikuar: March 6, 2018

Problematikat e reshjeve dhe gjetja e zgjidhjes për eleminimin e daljes nga shtrati të lumit Vjosë ka mbledhur sot në Njësinë Novoselë, në një takim të përbashkët dy Kryetarët e Bashkive Fier dhe Vlorë së bashku me prefektët e dy qarqeve. Takimi i sotëm në nivel teknik, ka ardhur pas disa takimesh që Kryetari i Bashkisë Fier Armando Subashi ka zhvilluar me specialistë dhe ekspertë të fushës me eksperiencë shumëvjecare. Në fjalën e tij kryetari Subashi ëhstë shprehur: “Kemi disa javë që punojmë, por sot ishte një takim i përbashkët që synoi bashkëveprimin e të dy bashkive tona, Fier dhe Vlorë për t’i dhënë fund problemit madhor që po shkakton këto vitet e fundit VJOSA.

Tashmë kemi rënë dakord për të ngritur një grup të përbashkët pune, jo vetëm me ekspertët që kemi në strukturën e bashkive tona, por duke përfshirë në të edhe profesorë e specialistë nga Tirana me eksperiencë shumëvjeçare dhe që kanë qenë ideatorët dhe projektuesit e shumë prej veprave aktuale. Në përfundim unë jam i bindur që do të kemi një projekt dhe një produkt shumë profesional, zbatim i të cilit do të minimizojë dhe ndoshta do të mbyllë përgjithmonë historitë që kemi patur vitet e fundit me Vjosën. Atje ku realisht është vëmendja, puna dhe dora e njeriut, janë shmangur shumë pasoja. Kjo nuk është e parealizueshme. Shembujt ne i kemi konktretë nga bashkitë tona. Atje ku realisht është vëmendja, puna dhe dora e njeriut, janë shmangur shumë pasoja”. 
Sipas kreut të Bashkisë Fier situata e 2- 3 viteve të fundit është një këmbanë alarmi dhe për këtë është dakordësuar edhe me Kryeministrin, nga ku është marrë mbështetja e plotë për t’i dhënë zgjidhjen përfundimisht këtij problem jetik.