Fëmijët jetim, familjet në nevojë dhe fëmijët me aftësi ndryshe kanë qenë edhe këtë vit në vëmendjen e Bashkisë Fier. Përvec aktivitetit artistik e argëtues, Kryetari i Bashkisë Armando Subashi ka gëzuar 300 fëmijët jetim të bashkisë edhe me dhurata të personalizuara. Në fjalën përshëndetëse dhe urimine fundvitit Kryetari Subashi u shpreh: “Edhe pse vëmendja jonë ka qenë e shpërndarë në shumë drejtime, këtë vit u kujdesëm për të ndikuar sadopak në lumturinë e 2000 familjeve në nevojë, 300 fëmijëve jetim, 50 fëmijëve me aftësi ndryshe dhe banorëve të Shtëpisë të të Moshuarve Fier. Padyshim që kjo nuk është e mjaftueshme, por është më shumë se asgjë. Do të vazhdojmë edhe gjatë këtij viti të ndikojmë në përmirësimin e politikave sociale për familjet pa asnjë mundësi ekonomike, për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, apo personat e pamundur fizikisht. Ata do të jenë në qendër të projekteve dhe programeve tona për vitin 2019, për t’u siguruar më shumë mirëqenie e integritet”.
Përveç ndihmave ushqimore për 2000 familjet në nevojë, atmosferës festive dhe familjare të krijuar në Shtëpinë e të Moshuarve Fier, shoqëruar me dhurata simbolike edhe ceremonia festive organizuar për fëmijët e qendrës “Horizont” (Fëmijë me Aftësi Ndryshe) është një tjetër aktivitet i kthyer tashmë në traditë, që përcjell mesazhe të forta dashurie për jetën dhe një atmosferë festive për këtë pjesë të brishtë të shoqërisë.