Bashkia Fier në bashkëpunim me UNDP ka zhvilluar një workshp dy ditor me objektiv ri-integrimin e të rikthyerve nga emigrimi dhe azil-kërkimi në Bashkinë Fier.
Në vijim të firmosjes së Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis PNUD në Shqipëri dhe Bashkisë Fier, si dhe duke konsideruar që janë kryer disa vlerësime për të kuptuar situatën dhe kushtet e nevojshme për ri-integrimin e të rikthyerve në këtë bashki, ky takim mbledh bashkë aktorët vendorë, të cilët kanë një rol në proceset ri-integruese të të rikthyerve nga komuniteti Rom dhe Egjiptian.
Forcimi i sistemeve kombëtare dhe lokale për të mbështetur integrimin efektiv socio-ekonomik të të kthyerve në Ballkanin Perëndimor është një projekt nën-rajonal i financuar nga Komisioni Evropian, në koordinim me Bankën Botërore dhe Këshillin e Evropës. Projekti zbatohet në Shqipëri, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut dhe administrohet nga Zyra Rajonale e UNDP në Stamboll.
Projekti synon të rrisë aftësitë e autoriteteve të Ballkanit Perëndimor për të zbatuar zgjidhje tërësore për fuqizimin ekonomik dhe shoqëror të të kthyerve. Duke adresuar shkaqet thelbësore dhe shtysat negative të emigrimit për popullatën Rome dhe Egjiptiane si dhe për te rikthyerit e tjerë nga grupe vulnerabël të popullatës, projekti kontribuon në zbatimin e agjendës së gjerë të përfshirjes sociale në Ballkanin Perëndimor.