Fillesa e Arteve pamore në qytetin e Fierit, lidhet me përpjektjet e një grupi artistësh Fierakë në fundin e viteve 70. Fill pas kësaj lëvizjeje, në vitin 1978 u hap dhe ekspozita e parë e arteve pamore, në kuadër të festave të Nëntorit. Atmosfera e pasur artistike dhe krijimtaria e dendur e artistëve Fierakë, solli domosdoshmërinë e krijimit të një institucioni të rëndësishëm artistik dhe kulturor për vetë qytetin, sic ishte Galeria e Arteve Figurative (GAF). Galeria e Arteve Figurative e qytetit të Fierit u themelua në vitin 1978, si një institucion kombëtar muzeor e studimor, me qëllim kryesor, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare në fushën e arteve pamore.
Në fund të viteve ’90, Galeria u zhvendos në katin e katërt të godinës së Bibliotekës, në qendër të qytetit të Fierit, ku ndodhet edhe sot. Galeria funksionoi në dy drejtime kryesore: në atë të linjës së përhershme ekspozuese dhe në çeljen e ekspozitave të përkohshme të artistëve shqiptarë e të huaj. Sot Fondi i Galerisë numëron rreth 200 vepra dhe 100 autorë të regjistruar në arkivin e saj. GAF është një ndër institucionet më të rëndësishme kulturore të qytetit për ekspozimin, konservimin, studimin, edukimin, dokumentimin dhe arkivimin e veprave të artit në Fier. Ajo funksionon në mbështetje të Ligjit për Muzetë dhe Ligjit për Trashëgiminë Kulturore Kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Aktivitetet e shpeshta të zhvilluara vazhdimisht në galeri, tregojnë edhe interesin e madh të qytetarëve Fierakë, për të ndjekur zhvillimet më të reja të artit pamor, duke luajtur një rol thelbësor në afrimin e publikut me artistin dhe artin.
Në 20 vitet e fundit, në sallën e Galerisë janë zhvilluar ekspozita të shumta kolektive dhe personale me autorë nga qyteti, si dhe nga vendet e tjera të Shqipërisë. Po ashtu, rëndësi të vecantë kanë marrë edhe pjesëmarrjet e shumta të artistëve nga Kosova, Maqedonia, Greqia, Turqia, Bullgaria, Italia, Franca, Qipro, Egjipti, Gjermania, Rusia, Korea e Jugut, Argjentina, etj. Këto lëvizje artistike, përvecse i japin gjallëri ambjenteve të artit, por për më tepër sjellin frymën dhe eksperiencën e vlerave cilësore që krijojnë një pasuri artistike dhe shpirtërore për qytetin e Fierit. GAF ka mision mbledhjen, konservimin dhe ekspozimin e veprave të artit pamor me vlera serioze profesionale, prezantimin e krijimtarisë së artistëve Fierakë, duke promovuar veprat më të mira të artit pamor shqiptar të traditës dhe atij bashkohor kombëtar e ndërkombëtar.
Më parë Galeria e Arteve ka qenë e vendosur në godinën e Qendrës Kulturore të Ushtrisë, në rrugën “Ramiz Aranitasi”. Galeria e Arteve është një institucion shtetëror në varësi të Bashkisë Fier. Ajo funksionon në bazë të rregullores së saj të brendshme, e cili aprovohet nga Bashkia Fier. Fondi fillestar i Galerisë është krijuar në saj të blerjeve të Komitetit Ekzekutiv të Qytetit Fier dhe Ministrisë së Kulturës të viteve 78-80, veprimtari e përvitshme me krijues Shqiptarë. Me kalimin e viteve u vu re nevoja për rikonstruksionin e hapësirave të Galerisë dhe në vitin 2009 u realizua një rikonstruksion i plotë i saj me mbështetjen e bashkisë dhe donacioneve shqiptare. Me rritjen e fondeve dhe aktiviteteve të shpeshta që ajo zhvillon, ka lindur domosdoshmëria e shtimit të ambjenteve të reja, ku do të përcaktohet salla e përhershme e ekspozimit të fondit të Galerisë dhe salla e ekspozitave levizëse (të përkohshme). Ky institucion synon rritjen e promovimit të vlerave artistike të traditës dhe vlerat artistike të kohës. Një nga qëllimet e këtij institucioni është edhe edukimi estetik i qytetarëve dhe kryesisht i brezit të ri, duke prezantuar vlerat e autorëve në vite dhe zhvillar më tej jetën e aktiviteteve artistike të organizuara në këtë institucion.