NJË COPËZ FIERI NË ZEMËR TË ATHINËS

NJË COPËZ FIERI NË ZEMËR TË ATHINËS

Një aktivitet modest mes emigrantësh është kthyer në një festë madhështore dhe në pritje po kaq madhështore e kryetarit të bashkisë Fier Armando Subashi. Me përmasat që morri ky aktivitet në dukje simbolik la të kuptohet se forca humane bëhet edhe më e madhe në kushtet e mallit dhe distancës me vendlindjen. Me të drejtë, takimi i emigrantëve fierakë në Greqi këtë fundjavë, i cili bëri jehonë edhe në Shqipëri, u emërtua si një copëz Fieri në zemër të Athinës.

Të takuar pas shumë vitesh me njëri – tjetrin, fierakët e emigruar mbi 30 vjet më parë në shtetin fqinj kanë dhuruar emocione të shumta mes lotësh dhe përqafimesh.

Kryetari I Bashkisë Armando Subashi mori pjesë në organizimin e bërë me rastin e e krijimit të Shoqatës “Grupimi i fierakëve emigrantë në Athinë “Apollonia”, me ftesë të veçasntë nga Kryetarja e kësaj shoqate, Elida Sopoti.

Mbi 30 vite në Athinë dhe më në fund Fierakët vendosën të jenë një, të gjithë bashkë në shtetin helen. Statistikat marrë nga ky shtet, flasin për mbi 23 mijë fierakë në Greqi.

Të mbledhur nga Athina dhe gjithë rrethinat e saj, fierakët vendosën të krijojnë grupimin e parë kulturor “Grupimi i fierakëve emigrantë në Athinë “Apollonia”.

Një përpjekje e madhe për ta finalizuar në 15 janar të këtij viti, si ëndrrën e tyre të gjatë sa vitet e qëndrimit në emigrim.

Bashkimi i Fierakeve ne Greqi “APOLLONIA, qëllimi i së cilës është, ruajtja e kulturës dhe traditës së bukur myzeqare, për ta percjellë atë ndër breza. Në këtë, event madhështor morën pjesë përvecese atyre që jetojnë në Athinë edhe shumë fierakë të ardhur enkas nga Katerini, Patra, Kalkidha, Megara, Spata, Korinthi etj.

Në 15 janar, ata ishin të gjithë bashkë, të mbledhur nga të gjitha anët e Athinës dhe jo vetem. Një aktivitet madhështor që tejkaloi pritshmëritë e organizatorëve.

Disa prej tyre takoheshin për herë të parë, të përmalluar, me duar në qafë, si vëllezër të një shtëpie.

Vitet nuk u kanë zbehur traditën fierake: e pritën njëri tjetërin me raki dhe karamele zana, me guna me rrëke dhe takije myzeqare, me këngë fierake dhe valle myzeqare.

Të gjitha si këtu në Fier! Dhe ajo ditë ishte një copëz Fieri në Glifadha të Athinës!

Rreth 400 fierakë mbushën plot hapësirat e atij lokali buzë detit të Glifadhës! Kishte midis tyre fierakë të thjeshtë, artistë nga të gjitha fushat, qytetarë, të integruar prej vitesh në shtetin helen, deri në sipërmarrës të denjë në zemër të Athinës.

Emocione pa fund, lot malli, përqafime vëllazërore, që nuk sosën për orë të tëra.

Mbreslënëse ishte edhe pritja që iu bë Kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi, me ovacione dhe entuziazëm të madh.

Prania e tij befasoi ata pak fierakë që nuk e njihnin, të cilët e kishin ndërtuar jetën aty dhe kishin shumë pak lidhje me vitet e hershme në Fier, ndërsa të tjerët ishin më shumë se të entuziazmuar për djalin fierak që I kishte ndryshuar pamjen qytetit të tyre të zemrës, sic u shprehën vet ata.

Lot dhe përqafime, mall dhe emocione!

Ansambli “Myzeqeja” ishte një element shumë domethënës për bashkëqytetarët tanë që jetonin prej vitesh larg vendit të tyre. Kjo vlerë e traditës sonë, solli Fierin në atë ambient qindar kilometra larg tij, I cili u tejmbush nga fierakët. I duartrokitën vajzat dhe djemtë e ansamblit dhe u bënë njësh me ta. Sa mall për vallet myzeqare!

Llazi Pove, Edmond Grëmi, Bledar Veliu dhe këngët fierake do të ngrinin peshë gjithë zemrat e fierakëve të përmalluar.

Një moment argëtues ishte edhe prerja e kekut të Shën Vasilit, një traditë e bukur e grekëve, për të respektuar edhe tradtën e shtetit ku ata jetojnë çdo ditë, ku punojnë dhe janë integruar më së miri!

Një çast tjetër emocionues ishte ishte dhënia e certifikatës së nderit Shoqatës nga Kryetari i Bashkisë Armando Subashi.

Atmosfera festive, mes këngëve dhe valleve fierake shoqëroi për orë të tëra këtë takim të përmalluar mes bashkëqytetarësh.

Tashmë ata janë më afër se kurrë me njëri tjetrin, me një qëllim të vetëm: për të ruajtur gjallë dashurinë për qytetin e tyre të zemrës, kulturën, traditat, këngët fierake dhe vallet myzeqare.