5 eskavatorë të rinj për Bashkinë Fier
Kanë mbërritur në Bashkinë Fier, 5 eskavatorët e rinj të siguruar nga Qeveria Shqiptare, që do shërbejnë për përmirësimin e ujitjes dhe kullimit të tokave bujqësore, një punë kjo e nisur që në fillim të funksionimit të Bashkisë së re Fier, nëpërmjet Njësisë së Vaditjes dhe Kullimit (në Bashki) edhe pse me vetëm dy mjete.
Falë bashkëpunimit me Bordin Rajonal të Kullimit, për sigurimin e mjeteve, deri më sot është arritur të rehabilitohen dhjetra kilometra kanale të dytë e të tretë, duke evituar në shumë raste përmbytjet e vazhdueshme të tokave bujqësore dhe banesave. Sot, me marrjen e mjeteve të reja, cilësore dhe komode, kjo punë do të jetë shumë herë më e madhe dhe rezultati shumë herë më i shpejtë.
Vetëm pak ditë më parë në portin e Durrësit mbërritën 61 eskavatorët e rinj, një investim i Qeverisë Shqiptare për bujqësinë, nga të cilët 5 ishin të destinuar vetëm për Bashkinë Fier. Kujtojmë se ky është investimi më i madh ndër 25 vitet e fundit në logjistikë, që është bërë për bujqësinë.