Përpjekjet e para për ngritjen e një muzeu në Fier lidhen me arkeologun e njohur Leon Rei në vitin 1936. Ky muze do të ishte i karakterit arkeologjik, me objektet e zbuluara gjatë gërmimeve në qytetin antik të Apolonisë, por nuk u realizua. Ngritja e muzeut u bë realitet vetëm pas çlirimit. Si hap i parë shërbeu një ekspozitë për faunën dhe florën e rrethit, si dhe një ekspozitë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me fotografi, dokumente, kujtime, objekte dëshmorësh etj., që u ekspozuan në një mjedis prej dy dhomash në një godinë pranë ish-turizmit. Në vitin 1951 muzeu u transferua në lagjen “Liri”, në një mjedis prej tri dhomash, nga të cilat njëra dhomë ishte për LANÇ, njëra për etnografinë, tjetra për faunën dhe florën dhe korridori për objektet arkeologjike. Një zhvendosje e dytë u krye në vitin 1953, ku muzeu u vendos në një godinë dykatëshe, sot lagjja “Apolonia”.
Që nga 18 korriku i vitit 1978, muzeu historik u vendos në ndërtesën dykatëshe që është edhe sot në lagjen “Kastriot”. Për ngritjen e tij punuan profesor Neritan Ceka; Myzafer Korkuti, arkeolog; prof. Paskal Milo, historian; dr. Iljaz Gogaj, historian; Kleanthi Dedej, studiues; piktori Vilson Kilica; arkitekti Mauricio Bega etj. Në përbërje të tij, muzeu ka pavijonin e arkeologjisë, ku mbi 70% janë objekte origjinale; pavijonin para dhe pas shpalljes së pavarësisë deri në vitin 1939 dhe eksponatin etnografik (ku paraqiten veshjet e trevës dhe objekte të përdorimit të përditshëm prej balte, hekuri, xunkthi, druri etj). Ka një fond të pasur arkivor në kujtime, ngjarje e data historike për LANÇ, studime historike, objekte të dëshmorëve dhe heronjve, veteranëve, armë mesjetare, të Rilindjes, të Luftës së Parë e të Dytë Botërore, si dhe një fototekë e filmotekë të pasur.
Materiale historike nga Ish-Drejtori i Muzeut, Nuri Plaku.