
Muzeu Historik Fier
Kushdo që e ka vizituar Muzeun Historik Fier, ka mundur të shohë nga afër dhe të njihet me një pjesë të rëndësishme të kulturës, traditës, historisë dhe qytetërimit antik. Pavijoni i Arkeologjisë në këtë Muze, përfaqësohet nga objekte të ekspozuara, që në pjesën më të madhe i përkasin qytetit antik të Apolonisë dhe qyteteve fqinje ilire të: Bylisit, Nikajës, Dimalit, apo atyre në Margëlliç dhe Gurëzezë. Në stendat e tij janë ekspozuar edhe artefaktet që vijnë nga gërmimet në stacionin neolitik të Cakranit dhe varrezës tumulare të Patosit.

Arkeologjia ofron tematika të veçanta për njohjen e parahistorisë, qytetërimit antik, themelimit të qyteteve koloni, organizimin e jetës, ndërtimet, infrastrukturën, rrugën Egnatia, kulturën shpirtërore, teatrin, skulpturën, numizmatikën, etj. Të gjitha këto, së bashku me objektet e shumta të qeramikës, armët e luftës, veglat e punës, mbishkrimet dhe mozaikët, i krijojnë vizitorit një njohje mbi periudhat e parahistorisë, antikitetit dhe mesjetës së hershme. Thesare të çmuara, që i japin vlerë identitetit tonë kombëtar!


