Lajmet më të fundit

1 Mars – hapet Tregu i ri i Gjësë së Gjallë Fier

Publikuar: February 25, 2022

Duke filluar nga data 1 Mars 2022, hap dyert Tregu i ri i Gjësë së Gjallë, duke i dhënë kështu fund një trgtimi kaotik në Fier. Tregu aktual i gjësë së gjallë, me vendndodhje në Lagjen “Afrim i Ri” pranë hekurudhës, që ishte një treg me leje provizore, do të mbyllet përfundimisht, pasi nuk plotëson asnjë kriter të tregtimit, duke filluar që nga largësia me qendrat e banuara, (kusht për evitimin e rrezikut të përhapjes së infeksioneve, sëmundjeve nga kafshët tek njeriu), deri tek kushtet sanitare, mjedisore, funksionale dhe organizative.

Me spostimin e tregtimit të gjësë së gjallë në tregun e ri, ndërtuar nga Bashkia Fier, me vendndodhje në Njësinë Administrative Mbrostar, do të garantohet jo vetëm standardizimi i këtij shërbimi për fermerët/tregtarët, por edhe për konsumatorët. Ai plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për një tregtim me standard, të garantuar, përfshirë kapacitetin dhe aksesimin, duke synuar kthimin e tij në një treg rajonal, që do të mundësojë shërbimet për fermerët e të paktën tre bashkive: Fier, Patos e Roskovec. Ka gjithashtu për qëllim të zhvillojë dhe të qendërzojë gjithë pikat e tregtimit të gjësë së gjallë në një të vetme, sipas kushteve dhe parametrave bashkëkohorë, të ndërthur rrugët automobilistike dhe transportin hekurudhor, të sigurojë largësinë maksimale nga transporti publik dhe nga aktivitetet qe shoqërohen me ndotje (si erë, pluhur, tym, hi,etj), respektojë largësinë nga shtëpitë e banimit dhe gjitha aktivitetet e tjera.

 Tregu i ri garanton:

·        Rritje të mundësisë për kontrollin e saktë tekniko-veterinar të gjësë së gjallë, i cili ndikon drejtëpërdrejtë në sigurinë e shëndetit publik.

  • Rritje të kontrollit të lëvizjes së kafshëve dhe sigurinë ushqimore nga ferma në tavolinë.
  • Krijimin e kushteve për evitimin e ndotjes së mjedisit, duke siguruar kontrollin e plotë të lëvizjes së kafshëve dhe regjistrimin e tyre.
  • Sigurimin e garancisë absolute për shëndetin e konsumatorit që konsumon produktin e përpunuar.

Qarku i Fierit ka një pozitë gjeografike dhe klimë të përshtatshme, e cila ka favorizuar numrin e madh të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Hapësirat e mëdha fushore të gjelbërura, i kanë dhënë hov zhvillimit të blegtorisë. Sot  në territorin administrativ të Bashkise Fier, Patos dhe Roskovec, mbarështohen rreth 35,000 krerë gjedh, 219,344 krerë të imta dhe rreth 9,900  krerë derra.

Falë bashkëpunimit të ngushtë me projektin TAP, sot kemi një treg me kushte e standard bashkëkohore, me kapacitet rreth 3 mijë krerë dhe me një thertore për raste emergjente.

Përvec kësaj, është një vend ideal për organizimin e panaireve të ndryshme.