Historia e Qytetit
Origjina e qytetit të Fierit shkon në shekullin e VI-të p.e.s. me qytetin antik të Apolonisë (quajtur sipas perëndisë Greke, Apollos). Apolonia ishte qyteti i dytë më i madh Ilir dhe një prej dy pikave të fillimit të Rrugës Egnatia, një prej rrugëve kryesore të Perandorisë Romake dhe asaj të Bizantit. Rruga Egnatia lidhte Romën në Perëndim me Konstandinopojën në Lindje.
Origjina e emrit të Fierit është e diskutueshme, megjithatë shumica e kërkuesve besojnë se emri Fier vjen prej fjalës Italiane “fiera”, që do te thotë panair. Sipas mbështetësve të kësaj teze, ishin tregëtarët Venedikas që e emërtuan qytetin ne shekujt 14-të dhe 15-të, kur blinin produktet bujqësore në tregjet e qytetit.
Qyteti u themelua në vitin 1864 kur Kahreman Pasha (guvernatori lokal) u kërkoi disa arkitektëve Francezë të projektonin qytetin e ardhshëm, si qendër tregëtare dhe artizanale në kryqëzimin e rëndësishëm Lushnjë-Fier dhe Berat-Mallakastër-Seman).
Qyteti u projektua sipas Modelit të Qyteteve të Rilindjes Europiane të shekullit të 19-të. Aktiviteti i tij kryesor do të ishte tregëtia e produkteve bujqësore të zonave të Myzeqesë dhe Mallakstrës. Gjatë viteve 1864-1865, një treg u ndërtua përgjatë lumit Gjanica për 122 tregëtarë. Banorët e parë të Fierit ishin shërbëtorët/argatët e Kahreman Pashës si dhe anëtarët e familjeve Vllehe, që kishin jetuar në këtë zonë që prej viteve 1800. Shpejt pas ndërtimit të tregut, Fieri e krijoi statusin e tij ekonomik si një qytet i tregëtarëve dhe zanatçinjve.
Kjo qendër tregëtare u përdor si pikë referimi, edhe prej dy topografëve Italianë Tabolini dhe Momori, që organizuan planin arkitektural të qytetit. Rregjistrimi i parë i popullsisë u zhvillua në vitin 1923 dhe qyteti i Fierit ishte i përbërë prej 5 lagjesh me një total prej 1493 banorësh. Shumë ndryshime demografike ndodhën në qytetin e Fierit ndërmjet fillimit të shekullit të 20-të dhe Luftës së Dytë Botërore. Migrantë nga zonat e Labërisë, Kosovës, Mallakastrës, Beratit dhe Gjirokastrës u vendosën në qytetin e Fierit. Mbas Luftës së Dytë Botërore një numër i madh banorësh prej zonës së Çamërisë migruan në qytetin e Fierit.
Pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1991, Fieri u u shëndërrua në qendrën e dytë më të madhe ekonomike te vendit, pas Tiranës. Qyteti pati një zhvillim të madh ekonomik dhe disa prej industrive kryesore që u zhvilluan përfshinin Nxjerrjen dhe Përpunimin e Naftës, Ndërtimin, Bujqesinë dhe Përpunimin e Produkteve Bujqësore. Gjithashtu edhe kompleksi më i madh industrial (Kimik, Mekanik dhe Energjitik) u krijua në qytetin e Fierit. Si rezultat, qyteti lulëzoi dhe njerëz prej të gjithë Shqipërisë migruan drejt Fierit. Në vitin 1965 qyteti i Fierit kishte një popullësi prej 20,000 banorësh, në 1982 popullësia ishte rritur në 35000 dhe në 1991 kishte arritur në 48,000 banorë.
Ndryshimi i sistemit politik në vitin 1991, që u parapri prej një kolapsi ekonomik, u pasua prej emigrimit të shumë banorëve të Fierit për në Greqi, Itali dhe vende të tjera, në kërkim të vendeve më të mira të punës. Gjithashtu edhe shumë banorë nga qytetet e tjera, si dhe nga zonat rurale përreth qytetit të Fierit migruan drejt qendrës së Fierit. Këto lëvizje demografike shkaktuan luhatje të numrit të popullsisë. Në vitin 2004, qyteti i Fierit kishte një popullsi prej 83,000 banorësh. Për shkak të kolapsit ekonomik, shumë fabrika, ndërmarrje dhe kompani shtetërore u mbyllën dhe u krijuan prona dhe biznese private.