Accesso




Skip Navigation Links > Kreu > Qyteti > Arti dhe kultura > Teatri Bylis

Teatri Bylis

Teatri "Bylis" u krijua në vitin 1971 nga bashkimi i trupës amatore të teatrit dramatik me një grup aktorësh të rinj të sapo diplomuar, të cilët u emëruan në Fier nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Teatri "Bylis" përfshinte në vetvete dy trupa teatrore: Teatrin Dramatik dhe Teatrin e Estradës. Ai e nisi veprimtarinë në godinën e re të ndërtuar enkas për këtë qëllim (teatri i sotëm) me kapacitet spektatorësh prej 480 vendesh. Ky emërtim "BYLIS" u bë për disa arsye: Së pari emrin Apoloni (e cila ndodhet më pranë qytetit Fier, sot pjesë territorial e Bashkisë) e mbanin shumë subjekte social-kulturore në qytetin e Fierit; Së dyti, rrënojat e qytetit të Bylisit që ndodhen në fshatin Hekal të Mallakastrës dhe atëherë kjo krahinë ishte pjesë përbërëse e rrethit të Fierit; Së treti edhe në Bylis, dikur një nga qendrat kryesore ekonomike dhe shoqërore të Ilirisë së jugut, kishte ekzistuar një traditë teatrore, që ishte përfaqësuar nga ekzistenca e një teatri më të madh nga përmasat se ai i Apolonisë.

 

Teatri në Fier i ka fillimet e tij mbi baza amatore. Ai nisi me iniciativën e një grupi të rinjsh të apasionuar ndaj kësaj gjinie dhe në kushte e indiferencës së mbështetjes nga shteti, mungesës së ambienteve dhe publikut të kulturuar. Pikënisja e tij do të jetë viti 1933, kur në lokalin e Zeko Kokës, një grup zanatçinjsh dhe arsimtarësh shfaqen të parën vepër skenike në një ambient të improvizuar. Ajo ishte komedia e autorit Kristo Floqi e titulluar "Do të vras veten". Jo pa qëllim u zgjodh kjo vepër teatrore, pasi Kristo Floqi ishte autori më i dashur dhe i pëlqyer i kohës. Veprat e tij shquheshin për humor, përmbajtje kombëtare dhe fshikullim të dukurive negative. Regjizori i parë i trupës teatrore ishte mësuesi Llaqi Kola, i diplomuar në shkollën normale të Elbasanit, i cili ishte marrë me teatër gjatë viteve të studimit. Trupa përbëhej nga aktorët amatorë si: Sokrat Pogaçe, Jorgji Koshovari, Jorgji Panda, Sotir Argjendari, Jorgji Kovaçi, Nasi Bogo, etj.

 

Pas suksesit të parë kjo shoqëri teatrore shfaqi në vitin 1935 me mjaft sukses, dramën e autorit Foqion Postoli. Në vitin 1937 ajo u paraqit me dy vepra skenike si: komedinë "Fe dhe kombësi" të Kristo Floqit dhe komedinë e Molierit "Doktor pa dorashka". Gjatë kësaj kohe grupi teatror do të zhvillonte edhe turneun e parë artistik në qytetin e Beratit ku shfaqi komedinë e sipërpërmendur "Fe dhe kombësi". Në vitin 1938 autoritetet e shpërndanë këtë grup meqënëse në radhët e tij kishte anëtarë që kishin marrë pjesë dikur në Kryengritjen e Fierit (1935) dhe ishin simpatizantë të ideve komuniste, të cilat konsideroheshin të rrezikshme për regjimin e kohës. Kështu me këtë prolog u mbyll etapa e parë e zhvillimit të teatrit në qytetin e Fierit. Pas luftës së dytë botërore, shteti Shqiptar për qëllimë nga më të ndryshmet ndërmori dhe hartoi një strategji dhe politike-kulturore, ku rëndësi e veçantë i jepej edhe teatrit dramatik.

 

Në këtë nxitje dhe interesim nga shteti, me përvojën e krijuar në etapën e parë dhe aktorë të ardhur nga teatri partizan në Fier rinisi veprimtarinë teatri dramatik i shtëpisë së kulturës. Do të ishin 21 aktorë amatorë, të cilët nën drejtimin e regjizorit Llazar Verria  hodhën bazat  e artit dramatik  në Fier. Të tillë ishin: Nestor Pogaçe, Ndrek Beltoja, Muhedin Pleshti, Marika Kallamata, Hamza Pleshti, Sila Kordhishti, Lake Panajoti, Harilla Roshi,Omer Haxhia, Stavri, Pirro e Terezina Gjerazi ,Sila Kaleshi,Veniamine Muço,Tashko Lako, Leonidha Prifti,Syrja Minarolli,Viol eta Bakalli,Fuat Boçi,Sotiraq Xoxa,Liri Mitri, etj.

 

Nga kjo veprimtari u nxitën që t'i kushtoheshin aktrimit dhe  të bëheshin aktorë të njohur në rafshin kombëtar disa individë nga  qyteti i Fierit si: Marika  Kallamata, Albert Verria, Ahmet  Pasha, Aleksander Pogaçe, etj. Një kontribut të shquar në shtëpinë e kulturës  dhanë dhe regjizori Piro Mani, drejtuesi i muzikës Ismail Balla dhe koreografi  Hamza Minarolli.

 

Në vitin 1957 në Fier u ngrit teatri i Estradës, i cili ishte trupa e dytë e varietesë e krijuar në Shqipëri, pas asaj të varietesë së Tiranës.  Estrada ishte një lloj i artit dramatic. i cili përmbante të ndërthurrura pjesët e shkurtra komike si: skeçin, kupletin, parodinë, këngën, etj. Veprimtarinë e tij ky teatër e nisi me një staf aktorësh dhe këngëtarësh si: Nestor Pogaçe, Terezina Gjerazi, Natalia Mëhilli, Vasilika Kaleshi, Fuat Boçi, Leonidha Prifti, Kujtim Jorgaqi, Pjerina Shoshi, Skënder Lloshi, Mehmet Muka, Isuf Maloku, Llazar Doko, Kozma Shallapi, Sokrat Robo, Sofika Dimo, Shpresa Memo, Timo Lule, Stavri Gjerazi, Luçi Bele. Regjizor ishte Llazar Verria. Më pas kësaj trupe iu shtuan më vonë  edhe një sërë talentesh, të cilët erdhën nga lëvizja amatore si: Luftar Paja, Hasan Bregu, Todi Llupi, Arqile Lici, Vasil Vaso, Fatmir Xhelili, Sotir  Stefa, ndërsa  një pjesë tjetër ishin aktorë të diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve si: Xhuljeta Kulla e Natasha Sela. Regjizorë të kësaj trupe në vite ishin Llazar Verria, Gulielm Radoja, Roland Roshi, Pëllumb Kulla, Leka Bungo, Koço Papadhopulli, Roland Çarka, Klajdi Marku, etj.

Njëri prej aktorëve më të vjetër i këtij teatri dhe regjizori që krijoi fizionominë, duke I dhënë emër estradës së Fierit ishte, Llazar Verria. Ai punoi për 20 vjet me radhë, duke përfshirë talentet e reja të spikatura si: Fuat Boçin, Lefteri Sillo, Sofika Hodo, Kujtim Jorgaqi. Më vonë, regjizori dhe skenaristi Pëllumb Kulla e ngriti këtë teatër estrade në majat më të larta. Ai futi një frymë të re në formë dhe përmbajtje, duke krijuar personazhe që janë skalitur në memorjen e artëdashësve në mbarë Shqipërinë. Ishte Pëllumb Kulla, që midis lojës në grup krijoi edhe individualitete si: Luftar Paja, "artist i popullit",  Fuat Boçi "artist i merituar", Todi Llupi "artist i merituar", Arqile Lipe "artist i merituar". Të paharruar kanë mbetur për emocionet që krijuan personazhe si: Lipe Shtogu, Belul (Gjeraqina), Çobo Rrapushi. Ndërkohë që krijimet e arrira artistike ishin "ushqimi" me materiale humoristike për këtë estradë. Ndër krijuesit mund të përmendim emrat e Pëllumb Kullës, Tashko Lakos, Ndini Bardhit, Llazo Polos, Maku Pones, Dritero Agollit, Dionis Dubanit, Shefqet Musaraj, Ferit Lamajt, Qamil Buxhelit, Filip Çakullit, Tasim Aliajt, Koço Devoles, Andrea Priftit, etj. Por teatri i estradës pëmbante si pjesë përbërëse dhe organike të tij edhe grupin e këngëtarëve, të cilët pasonin në intervale të rregullta pjesët e humorit.

 

Në vitet 1970-1980, në këtë teatër u shfaqën me sukses vepra të ndryshme të artit skenik vendas dhe të huaj. Gjatë kësaj kohe ai krijoi edhe identitetin dhe profilin e tij ku me punën, përkushtimin, talentin dhe ambicjen e stafit të tij u rendit ndër teatrot më të mirë të Shqipërisë. Ndër kulmet artistike të arritura përmenden një sërë veprash si "Gjëmimi i atij dimri" (1976), "Shoku Niqifor" (1982), "Dy krisma në Paris" (1983) etj. Nga gjiri i këtij teatri dolën një plejadë aktorësh që krijuan identitetin e tyre artistik në përmasa kombëtare si: Luftar Paja (Artist I Popullit), Fuat Boçi (artist I merituar), Hajrie Rondo, Fatos Sela, Todi Llupi, Ilir Bezhani, Arqile Lipe, Muhamet Sherri, Gjergj Lala, Vladimir Muzha, Dervish Biba, Dritan Boriçi, etj.

 

Në teatrin dramatik dhanë kontributin e tyre  një grup i madh aktorësh, të cilët u dalluan  për lojen kompakte vlerat artistike,  disiplinën  skenike, etj. Mund të përmendim: Hajrie Rondo, Muhamet Sherri, Vladimir Muzhë, Leonard Poro, Dhimitër Jano, Aleksandër Pogaçe, Hatiqet Siqeca, Kujtim Jorgaqi, Andrea Pepi, Bajram Dosti, Agim Agolli, Diana Aliaj, Niko Vrushi, Merita Gjyriqi, Ilir Bezhani, Xhelal Hoxha, Gjergji Lala, Pano Panajoti, Mina Koxhaku, Fatos Sela, Astrit Hasani, Dervish Biba, Shpëtim Shehu, Zana Prifti, Aurela Hyseni, Roland Çarka, Anita Sheplo, Antigoni Golemi, Bruna Borova, Djana Aliaj, Donika Cenolli, Eli Prifti, Fatmir Kapllani, Fitnete Tiço, Jetmira Dushi, Kiço Gjini, Luçi Bele, Mimoza Zotaj, Niko Dhrami, Petrit Tuna, Vasilika e Kiço Londo, Dritan Boriçi, Krenar Troka, Hateme  Ruzhdia, Miola Sitaj, Mehmet Xhelili, si dhe të një plejadë aktoresh amatorë.

Në këtë teatër u vunë në skenë shumë drama të shkruajtura nga libretistët e tij: Teodor Laço e Maku Pone, kurse drama të veçanta shkruan për të autorët fierakë: Tashko Lako, Kleanthi Dusha e Dervish Biba. Gjithashtu zhvillim pati edhe kritika e zhvilluar në faqet e gazetës zyrtare "Drapër dhe çekan" ku u shquan penat e Eduard Gjergos dhe Kristaq Shtëmbarit.

Vitet 1990-2000 ishin më të vështirat  në historinë  e teatrit BYLIS, sepse nga  trupat e tij  nisi një largim masiv i  aktorëve . Ai ishte teatri i vetëm në Shqipëri  që u godit nga dukuria  e "eksodit" të aktorëve, të cilët si shumë të tjerë  nisën të largohen  jashtë vendit për një jetesë më të mirë. Kështu u larguan  fillimisht Pëllumb e Xhuljeta Kulla, Gjergji  Lala, Luftar Paja, Vladimir Muzha, Roland Zaloshnja, Kiço e Vasilika Londo, etj, peër tu pasuar  më vone  nga një valë e dytë  largimesh si Arqile Lipe , Arqile Liçi, Roland Çarka,  Aurela Hyseni, Niko Vrushi, Agim Agolli, Krenar Troka, etj.

 

Ndërkohe që me dukurinë e re  të emigracionit  kulturor  drejt Tiranës u larguan të tjerë artistë si : Fatos e Natasha Sela, Merita Gjyriqi, Mina Koxhaku, Hasan Bregu, Bajram  Dosti, Dervish  Biba, Dritan Boriçi, etj. Një pjesë aktorësh me kalimin e kohës  dolën në pension  dhe në teatër nuk pati prurje të reja  për t'i zëvendësuar. 

 

Në estradë gjatë 50 vjetëve  të funksionit të saj u shquan këta  këngëtarë: Ëngjëllushe Daja, Natali Mëhilli, Lefteri Sillo, Vasilika Kaleshi, Pjerina Shoshi, Sofika Dimo, Brunilda Sota, Sofika Hodo, Luljeta Gjerazi, Violeta Mashani, Mira Bregu, Vasilika Stamo, Timo Lule, Miti Nushi, Jani Tase, Petraq Shyti, Petraq Noti, Llazar Pove, Vilson Shaho, Ylli  Cakrani, Fatos Manaj, Adriatik Agalliu, Anesti Çuko, Anesti Toska, Edmond Fishta, Maks Dertliu, Vladimir Muzha, grupi i këngës popullore qytetare i përbërë nga: Jani Tase, Miti Nushi, Llazar Pove, Robert Hoxha, Alma Gashi, Alfred Tase dhe Roland Papa.

 

Një meritë të madhe në fushën e muzikës kaëe patur kompozitori Nikollaq Bulo, instrumentisi dhe dirigjenti Isuf Maloku, kompozitori i talentuar  dhe novator Ferit Hoxha, Arjan Papa, Robert Hoxha, etj. Por një meritë  të veçantë në sukses të artit skenik  ka patur edhe  "prapavija" e këtij teatri, ku kanë dhënë kontributin e tyre : skenografët  Dilaver Muka, Anesti Cini, Shemedin Ruçi, Pano Kondo e Gëzim  Hajdini, mjeshtrat e ndriçimit  Ëngjëll  Boriçi e Thanas Tito, mjeshtrat e kostumografisë si Nuzet Golemi e Edmond Dashi, rekuizeria Hateme  Ruzhdia, inspektori i skenës  Zoi Papa,  mjeshtrat e fonisë ,Xhemal Kelmendi  e Fredi Tase, mjeshtrat e dekorit Naun Papuçiu, Kristaq Dumi, Filip Nano, etj.

 

Vitet sollën zhvillime te reja. U krijuan kushte të tjera për zhvillimet kulturore dhe artistike. Në këtë kontekst ndryshimesh u ndodh edhe arti dramatic, i cili u përball me një sërë risish të panjohura për karakterin dhe profilin që ai krijoi gjatë jetës së tij 45 vjeçare. Ndërkohë një nga këto elementë që u krijuan në këtë periudhë ishin edhe festivalet teatrore, të cilat nisën të ndikonin duke i dhënë një impuls kësaj gjinie aq të dashur nga publiku. Të tilla aktivitete do të ishin: Festivali ndërkombëtar i Butrintit, Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Korçë, Festivali Kombëtar i Varietesë në Vlorë, Festivali i Elbasanit, etj. Midis këtyre evenimenteve artistike të rëndësishme, një vend të veçantë zë edhe festivali mbarëkombëtar i aktrimit "Apollon" që zhvillohet në qytetin e Fierit.

 

Në vitin 2001 me iniciativën e regjizorit dhe aktorit Klajdi Marku dhe të regjizorit të teatrit "Skampa" në Elbasan Adonis Filipi, u themelua në Fier Festivali Kombëtar i aktrimit "Apollon". ​​

Eventet

<dhjetor 2017>
HënMarMërEnjPreShtDie
27282930123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031
1234567

Se shpejti


Buletini Informativ