Accesso




Skip Navigation Links > Kreu > Lajmet > Shtypi > Një park qendror në vend të gropës së errët

Kategorite

Filtro:

Një park qendror në vend të gropës së errët

TEMAT KRYESORE

  • RILINDJA URBANE/Bashkia u kthen banorëve zonën e shndërruar në vend për grumbullimin e plehrave, endacakëve dhe të droguarve. Hapësira argëtuese për fëmijët dhe banorët, në vend të gërmadhave
Nga Alfred Guraj

Një sipërfaqe prej 26 mijë metra katrorë, për 25 vjet ka qenë si “geto” e Fierit. Edhe pse në qendër të qytetit e gjithë kjo sipërfaqe asnjëherë nuk mori vëmendjen e duhur nga njësitë e qeverisjes vendore, thua se ishte “molla e ndaluar”. Vetëm pak metra larg bllokut të institucioneve lokale (Bashki, Prefekturë, Këshill Qarku), edhe pse pjesë e qendrës së qytetit, e gjithë kjo sipërfaqe ka shërbyer për vite me radhë si vend grumbullimi i plehrave të zonës përreth. Gërmadha, godina të shkatërruara e të zaptuara nga mbetje inerte dhe urbane, vendbanime të endacakëve dhe vendtakime të përdoruesve të drogës. Sot mbi këto gërmadha po projektohet parku qendror i qytetit.

Pas 25 vjetësh 

Pse vallë askush nuk vinte dorë mbi këto gërmadha? Pronarët diku të ligjshëm e më shumë të paligjshëm kanë qenë mburoja e këtij kaosi në zemër të qytetit. Dikur, kjo zonë i ka shërbyer industrisë. Godina, e cila ka shërbyer si fabrikë mielli është ndërtuar në vitet ‘30 dhe ka qenë vepra e parë industriale në Fier. Një bllok godinash pranë saj kanë qenë magazina, ndërmarrja e grumbullimit të bimëve mjekësore dhe e gjithë sipërfaqja ka qenë në funksion të kësaj industrie.

Sot gjithçka është kthyer në kaos urban 

Edhe pse godina të shkatërruara, të kthyera në gërmadha, rrezik i sigurisë së qytetit, bombë ekologjike dhe e imazhit të qytetit, lufta për t’i mbajtur në këmbë ato ishte shumë e madhe. E rrethuar nga disa kioska të ndërtuara vitet e fundit, kjo zonë ishte kthyer në rrezik, kryesisht për fëmijët, të rinjtë dhe moshën e tretë. E mbetur në harresë si nga vëmendja e pushtetit lokal, ashtu dhe nga të ashtuquajturit “pronarë të ligjshëm”, të cilët i kishin lënë pronat e tyre në mëshirë të fatit, qytetarët shpreheshin vazhdimisht se ishte një mundësi e mirë që në vend të kësaj grope të errët në mes të qytetit, të kishin një lulishte që të shërbente si “mushkëri” frymëmarrje e qytetit. Duke e njohur situatën kontradiktore të kësaj zone, ata uronin në një iniciativë të tillë, por nuk kishin shpresë se mund të realizohej, shtyrë nga presionet e shpërndara anembanë qytetit. Kjo ishte sfida e Bashkisë Fier dhe e kryetarit Armando Subashi që do t’i shërbejë qytetit dhe qytetarëve.

Sapo u hap lajmi që mbi këto gërmadha po projektohej parku kryesor i qytetit, pronarë me letra dhe pa letra u ngritën në këmbë për të bërë oponencën. Por edhe më e madhe ishte këmbëngulja eBashkisë për ta rehabilituar këtë zonë të lënë në harresë totale. Në muajin shtator 2015 nisën shembjet e godinave të shkatërruara dhe të kioskave rreth tyre, për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit më të shumëpritur për Fierin, ndërtimit të parkut qendror. Sot në këmbë qëndron vetëm godina e ndërtuar 85 vjet më parë (ish-fabrika e miellit), e cila është menduar nga arkitektët për t’i shërbyer artit dhe kulturës. Kreu i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Fier, Hadër Çako, është shprehur se nuk ka patur selektime në prishjen e objekteve.


Gjithçka është kryer mbi bazën e vendimeve të Këshillit Bashkiak. “Ne nuk kemi lënë asnjë objekt që të jetë në kundërshtim me vendimet e Këshillit Bashkiak për rikthimin e hapësirave publike. Të gjithë objektet që janë evidentuar, janë prishur. Deri në fund të vitit, ky shesh do t’u takojë qytetarëve, ndërsa do të nisin edhe punimet për ndërtimin e parkut”, ka theksuar Çako. Përveç shembjeve, një punë e madhe bashkë me heqjet e inerteve ishte edhe largimi i tonelatave të tëra mbetjesh inerte, urbane dhe plehrash të grumbulluara ndër vite. Ato kanë qenë pjesë e historisë së hidhur 25-vjeçare që kjo zonë e braktisur në qendër të qytetit mbart në vetvete.

Punët e para të bashkisë 

Pas marrjes së detyrës së kryetarit të bashkisë së Fierit, Armando Subashi, ish-deputet i PS-së, nisi me disa punë që do të ndikojnë në cilësinë e jetës së banorëve të Fierit. Vendimi i parë i këshillit bashkiak të Fierit ishte anulimi i marrëveshjes koncesionare për parkimin e automjeteve mes një firme private dhe bashkisë, e cila kishte degraduar në një gjobëvënie për qytetarët e Fierit dhe vizitorët. Më pas, duke patur parasysh problematikat e mëdha që shkaktojnë përmbytjet në qytet, mjete të rënda gërmuese prej muajsh po pastrojnë shtratin e lumit të Gjanicës, duke evituar përmbytjet e përsëritura, të cila shkaktojnë dëme të shumta përgjatë rrjedhës. Investimet e tjera kanë të bëjnë me sistemimin e rrugëve, ndriçimin dhe asfaltimin, për t’i dhënë një pamje të re qytetit më të madh në jugperëndim të vendit.

Parku, një mundësi e madhe për banorët e qytetit 

Sipas qytetarëve të Fierit, kjo duhej të ishte bërë vite më parë, por dhe tani nuk është vonë. Ata mezi po presin ndërtimin e këtij parku 

Te qytetarët, impakti për ndërtimin këtij parku i kapërcen kufijtë. Ata janë shprehur më shumë se entuziastë për këtë nismë të bashkisë dhe për më tepër për vendosmërinë e treguar, për ta çuar deri në fund atë. “Tani vërtetë do e ndjejmë veten se jetojmë në qytet. Fieri e ka pasur të nevojshme ndërtimin e këtij parku dhe për rëndësinë që ka si qytet është shumë i privuar. Vetëm këtu nuk ke se ku t’i çosh fëmijët. Është e tmerrshme kur mendon se do të dalësh dhe nuk ke ku të shkosh, veçse nëpër lokale. Nuk kemi mundësi financiare. Kemi nevojë të gjithë për të kaluar orë shplodhjeje dhe argëtimi.

Në vend që Fieri në gjithë këta vite të betonizohej me ndërtime me dhe pa leje, duhej të kishte hapur një mundësi të tillë”, thotë Varvara, një qytetare e lagjes “Apollonia”. Edhe Aristiri, banor i lagjes “Kastriot”, i cili të vetmim vend ku sjell fëmijët e djalit ka lulishten e vogël pranë bashkisë, shpreh të njëtin shqetësim. “Nuk kam ku të shkoj. Edhe këtu me shumë siklet se fëmijët lëvizin e dalin në rrugë makinash. Ai park do të zgjidhte këtë problem edhe për ne. Është ajo që i mungon Fierit dhe ne të gjithë ngrihemi në këmbë për ta çuar deri në fund këtë punë”. Sipas qytetarëve të Fierit, kjo duhej të ishte bërë vite më parë, por dhe tani nuk është vonë.

Ata mezi po presin ndërtimin e këtij parku, ku të gjejnë veten të gjithë fëmijët, të rinjtë, mosha e tretë dhe ajo aktive. Ky projekt nuk është vetëm një dëshirë, por tashmë dhe një sfidë që Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi e ka ndërmarrë si një detyrim ndaj qytetarëve dhe qytetit të Fierit, për të cilën ka marrë dhe miratimin e Kryeministrit Edi Rama. Ajo që sot është një gërmadhë, nesër do të jetë Frymëmarrja e Qytetit.

Fieri, i vetmi qytet i madh pa një park qendror 

Projekti do të përfshijë edhe rikonstruksionet e fasadave, të rrugëve, ndriçimin e tyre, kanalizimet mbi dhe nëntokësore 

Pas shembjeve dhe pastrimit të mbetjeve inerte të akumuluara nga ky proces vijoi puna për hartimin e një projekti dinjitoz për ndërtimin e Parkut Qendror të Qytetit.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Projektimeve dhe Infrastrukturës në Bashkinë Fier, Thimi Rudi, dy projekt-ide janë duke u studiuar dhe brenda muajit dhjetor do të përcaktohet se cili prej tyre do të zbatohet gjatë vitit 2016. Parku Qendror, i cili është i vetmi i këtij lloji në Fier do të shtrihet në një hapësirë prej 26 mijë metrash katrorë, ku do të mbizotërojë gjelbërimi, hapësira argëtuese për fëmijët dhe të rinjtë, ambjente shlodhëse etj. Ky park do të marrë një vlerë të veçantë edhe për faktin që do të ketë një lidhje natyrale me bulevardin dhe sheshin kryesor të qytetit.

Fieri është ndër qytetet e pakta dhe ndoshta i vetmi nga qytetet e mëdha me pontencial (siç është klasifikuar) që nuk ka park në brendësi të tij. Është një nevojë e domosdoshme, si për imazhin e tij ashtu dhe për cilësinë e ajrit dhe shëndetin e qytetarëve. Për hartimin e projekt-ideve për ndërtimin e këtij parku është bërë një analizë e thellë arkitekturore e urbanistike për të krijuar gjithashtu edhe hapësira të përshtatshme për çdo grupmoshë, i aksesueshëm në çdo stinë, me diversitet natyror, me siguri, gjelbërim, fushëpamje të mirë (nëpërmjet gjelbërimit të ulët), i ndriçuar, me mobilim urban të bollshëm. Është menduar që në të të ketë një zonë për kopësht botanik, një hapësirë për fëmijët, për të rinjtë dhe për familjarët. Janë menduar edhe dy shatërvanë: një i vogël dhe i thjeshtë dhe një tjetër më i madh dhe më i sofistikuar, ku do të luhet me dritat, lëvizjet dhe rrjedhjen e ujit.

Do të ketë një lidhje organike edhe me lulishten pranë xhamisë së qytetit. Projekti do të përfshijë edhe rikonstruksionet e fasadave, të rrugëve, ndriçimin e tyre, kanalizimet mbi dhe nëntokësore. Godina e ish-fabrikës së miellit do të kthehet në qendër kulturore që do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve, kryesisht të rinjve. “Ndërtimi i parkut qendror të qytetit është projekti më ambicioz për vitin 2016.

Për të arritur një punë sa më cilësore dhe një investim bashkohor, projekt-idetë për parkun janë konsultuar edhe me arkitektë me emër si Artan Shkreli, dekani i fakultetit të Arkitekturës, Andrea Maliqari, Reis Petrela, Daniel Gjoni etj..”, është shprehur arkitekti Rudi, duke shtuar se zbatimi i këtij projekti zgjat dy vjet dhe nëse nis në fillim të vitit të ardhshëm (2016) do të përfundojë në fund të vitit 2018. Financimi i tij pritet të bëhet nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.

Eventet

<korrik 2019>
HënMarMërEnjPreShtDie
24252627282930
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930311234

Se shpejti

Postimet me te fundit


Buletini Informativ