“Prezantohet Plani Vjetor i Punës”

Tri janë shtyllat kryesore tek të cilat do të referohet puna e Bashkisë Fier për vitin 2012. Kështu, në prezantimin e programit vjetor nga ana e nënkryetarit të Bashkisë, Flamur Mato, u evidentua si element parësor fokusimi, zhvillimi i turizmit kulturor dhe historik dhe masivizimi i sportit, si dhe vëmendja për një strategji shumëdimensionale në ndihmë të shtresave në nevojë. Këto tri shtylla qendrore, të shoqëruara edhe nga projekte konkrete në shumë fusha, siç është edhe infrastruktura, kanë qenë në esencë të takimit të hapur, të zhvilluar me qytetarë fierakë dhe intelektualë të qytetit.
Në këtë mënyrë, gjatë këtij viti, Bashkia Fier do të përqendrohet në zhvillimin e turizmit, duke u fokusuar parësisht në turizmin kulturor dhe historik, elementet e trashëgimisë kulturore, artin e kultivuar dhe impaktet sportive. Ndërkohë, jubileu i 100-vjetorit të Pavarësisë do të shërbejë si një argument më shumë për të krijuar ngjarje dhe atraksione turistike .
Po ashtu, sipas Matos, ky institucion, duke e konsideruar sportin si një nga burimet e rëndësishme që krijon tërheqje për zhvillimin e turizmit, në kuptimin e vizitorëve që vijnë nga jashtë në qytetin tonë, gjatë këtij viti, do të punojë për plotësimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive në qytet, krijimin e mjediseve të nevojshme që do t’i shërbejnë përmirësimit të performancës së sportistëve, ndërtimin e pallatit të sportit dhe rritjen e numrit të pjesëmarrësve në këto aktivitete.
Nënkryetari Mato ka nënvizuar gjithashtu se Bashkia, duke ruajtur profilin e saj thellësisht social, ka objektiv për ketë vit kujdesin ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe ndaj shtresave vunerabël, grupeve të caktuara sociale, të cilat jetojnë nën minimumin jetik. Është parashikuar që gjatë vitit 2012 të ngrihet një qendër multifunksionale për fëmijët me aftësi të kufizuara, ku përfshihen kopshti, shkolla dhe kurse profesionale për këta fëmijë, do të çelet një qendër social-kulturore për moshën e tretë, do të krijohet një miniqendër për Shoqatën e të Verbërve, Shoqatën e Para-tetraplegjikëve, Shoqatën e Shurdh-memecëve, si dhe do të bëhet e mundur ngritja e një grupi multidisiplinor për mbrojtjen e grave dhe vajzave në nevojë.
Një pikë tjetër e veçantë që u prezantua, ishte edhe transporti urban falas për invalidët e punës, në të gjitha linjat e shërbimit.
Mato u shpreh se programi i Bashkisë për këtë vit mbështetet në parime të tilla, si: qeverisje me pjesëmarrjen e qytetarëve, bashkëpunimi me gjithë aktorët që kontribuojnë në zhvillimin e qyteti, forcimi i partneritetit me biznesin, duke krijuar mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm, transparencë maksimale, si parakusht për besim reciprok me qytetarin dhe institucionet, shfrytëzimi eficient e racional i çdo burimi zhvillimor që ofron konteksti natyror social dhe ekonomik i Fierit, zhvillimi hapësinor i qytetit, duke garantuar kriteret e multifunksionalitetit të hapësirave publike, për të pasur një qytet, ku çdo individ jeton, punon dhe argëtohet pa përjashtim.