“Orkestra Filarmonike E Qytetit, Shpërthen Teatri “Bylis”

Koncerti festiv i filarmonisë së qytetit ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm në teatrin “Bylis” në qytetin e  Fierit. Me qindra artëdashës, intelektualë, artistë, muzikantë, instrumentistë, deputetë e përafqësues të të gjitha forcave politike, kanë ndjekur nga afër për rreth 60 minuta koncertin festiv të fundvitit nga filarmonia e qytetit, ku ishin bërë pjesë edhe muzikantë të ardhur nga Tirana. Ky Koncert, nën dirigjimin e  të talentuarës, Marjana Xoxa, ka thyer cdo parashikim të mundshëm, duke forcuar gjithnjë e më shumë idenë se njerëzit e duan artin klasik . Instrumentistë  të shumtë janë  bërë bashkë, për të sjellë fytyrën, tashmë të përvitshme, të filarmonisë së qytetit. Talente të grupmoshave të ndryshme  janë pjesë e kësaj orkestre e cila përvecëse uroi nëpërmjet tingujve, solli në themel të të gjithë produktit përbërës, vlerat kulturore, artistike dhe shpirtërore.

Sipas kryebashkiakut Zeqaj, filarmonia hap siparin e një axhende të ngjeshur aktivitetesh kulturore dhe artistike në prag të festave të fundvitit.
“Kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi në ditët në vijim, gjithcka do të jetë një maratonë artistike e kulturore. Filarmonia e qytetit është një nga pasuritë që ka sot qyteti i Fierit, të cilën do ta ruajmë si të shenjtë”,- ka deklaruar Zeqaj.
Bashkia Fier ka bërë tashmë një rikonceptim të performimit për këtë fundvit. Festimet do të përfshijnë grupmosha dhe kategori të ndryshme, ndërsa nuk do të mungojë vëmendja edhe për fëmijët.